UBT News

Rexhaj: Mungesa e trashëguar e një sistemi për emergjencat civile vështirësoi reagimin kundër zjarrit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka deklaruar se mungesa e një sistemi të mirëfilltë të emergjencave civile e ka vështirësuar reagimin në luftën kundër zjarrit.

Ai në seancën e Kuvendit, në kuadër të deklarimeve jashtë rendit të ditës, tha se pavarësisht kësaj, zjarrfikësit janë duke bërë një luftë heroike për t’i shuar zjarret që e kanë kapluar një pjesë të vendit.

“Sistemi i brishtë i emergjencave civile, mungesa e thellë e organizimit dhe pajisjeve, por prapë kemi forca zjarrfikëse në kufijtë e heroizmit që po ballafaqohen me jetë në mënyrë vetëmohuese. Me sakrificë ata po i përgjigjen në luftën kundër zjarrit. E kemi trashëguar mungesën e një sistemi të mirëfilltë të mbrojtjes së pyjeve dhe ende nuk paralizohet askush kur i vë zjarrin kullotave. Sistemi i ujitjeve është jashtë funksionit prej kohës dhe vendimi më i afërt për të marrë ujin është larg kilometra”, tha ai.

Sipas tij, ekzekutivi do të punojë në funksion të rregullimit të këtij sistemi.

“Shpejtë na kërkohet të kemi punë në funksion të rregullimit të sistemit të emergjencave. Prandaj Kosovës i duhet themelimi i shoqatave vullnetare të zjarrfikësve”, tha ai.

Exit mobile version