Manchester United po planifikon një ndryshim radikal, duke u përgatitur të rrafshojë mitikun “Old Trafford” pas 114 vitesh histori për të ndërtuar një stadium të ri me kapacitet 100,000 vende, sipas raportimeve nga “Daily Mail”. Projekti, i cili pritet të kushtojë rreth 2 miliardë paundë, ka shkaktuar një valë reagimesh mes tifozëve dhe ekspertëve të futbollit.
“Teatri i Ëndrrave”, siç njihet stadiumi aktual, është një nga simbolet më të njohura të futbollit botëror. Megjithatë, drejtuesit e klubit kanë arritur në përfundimin se ndërtimi i një stadiumi të ri është më i nevojshëm për të përmbushur kërkesat moderne dhe për të ofruar një eksperiencë më të mirë për tifozët.
Fillimisht, kishte pasur plane për të reduktuar kapacitetin e “Old Trafford” në 30,000 vende, në përpjekje për të ruajtur historinë e stadiumit dhe për të krijuar hapësirë për ekipet dhe akademitë e femrave. Sidoqoftë, ky projekt është konsideruar si i parealizueshëm dhe me kosto të lartë.
Nëse “Old Trafford” do të shkatërrohet, një grup studimi është krijuar për të siguruar ruajtjen e elementeve historike, duke përfshirë orën e Mynihut, tunelin përkujtimor të fatkeqësisë ajrore të vitit 1958, dhe statujat e legjendave që kanë bërë historinë e klubit.
Drejtuesit e Manchester United shpresojnë që të marrin një vendim përfundimtar deri në fund të këtij viti. Nëse projekti i ri do të miratohet, punimet ndërtimore mund të përfundojnë rreth vitit 2030. Alternativa e rizhvillimit të “Old Trafford”, e cila do të kushtonte gjysmën e shumës, mbetet gjithashtu në diskutim.
Faktorët kyç në këtë vendim do të jenë financat dhe opinioni i tifozëve. Klubi është i angazhuar për të shmangur rritjen e borxhit dhe do të kërkojë financim privat për të realizuar këtë projekt ambicioz. Ndërkohë, emocionet dhe reagimet e tifozëve do të jenë vendimtare për të ardhmen e “Teatrit të Ëndrrave”./UBTNews/