FIFA është duke planifikuar të bëjë ndryshime rrënjësore në rregullat e futbollit në të ardhmen e afërt dhe po teston pesë ndryshime të mëdha në mënyrën e lojës në një turne të të rinjve të quajtur Future of Football Cup.
Katër skuadra nën 19 vjeç, PSV Eindhoven, AZ Alkmaar, RB Leipzig dhe Club Brugge po garojnë në turneun revolucionar dhe FIFA është e gatshme të vlerësojë përgjigjen dhe reagimin ndaj ndryshimeve të bëra, për të vendosur nëse do t’i zbatojë ato në të gjitha nivelet.
Dhe gazeta spanjolle “Mundo Deportivo” ka zbuluar se këto ndryshime që testohen mund ta kthejnë sportin përmbys.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino po kërkon t’i shkurtojë ndeshjet, të ndalojë orën kur topi del jashtë loje, të lejojë zëvendësime të pakufizuara, të ketë përjashtim për pesë minuta për lojtarin që ndëshkohet me karton të verdhë dhe që rivëniet anësore të ekzekutohen me këmbë.