UBT News

Reuters: Presidentja e Kosovës shpërndan parlamentin, shpall zgjedhje të parakohshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau të premten Parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme, pasi ligjvënësit dështuan të zgjedhin kreun e ri të shtetit brenda afatit kushtetues, ka raportuar media prestigjioze ndërkombëtare Reuters.

Parlamenti kishte afat deri të enjten në mesnatë për të zgjedhur një president të ri para se mandati i Osmanit të përfundojë në prill, por partitë opozitare refuzuan të marrin pjesë në votim. Sipas ligjeve të vendit ballkanik, dështimi për të zgjedhur presidentin e ri nxit automatikisht zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ky veprim zgjat bllokadën politike në Kosovë, shtetin më të ri të Evropës që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vendi mbeti pa një qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, pasi parlamenti i fragmentuar dështoi për muaj të tërë të zgjidhte qoftë edhe kryetarin e Kuvendit.

Zgjedhjet e ardhshme do të jenë të tretat në pak më shumë se një vit. Kosova tashmë mbajti zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor, pas dështimit për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.

“Një parlament që nuk mund të zgjedhë një president, nuk mund të vazhdojë pafundësisht ta zvarrisë procesin ashtu siç po tentohet,” tha Osmani në një deklaratë. “Askush nuk duhet të dëshirojë një tjetër cikël politik, veçanërisht në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet.”

Osmani pritet të takohet me partitë politike këtë të premte, para se të caktojë datën e saktë të zgjedhjeve.

Fitorja bindëse e partisë Vetëvendosje të Kryeministrit Albin Kurti në dhjetor dukej se do t’i jepte fund ngërçit. Në atë kohë, shumë analistë politikë besonin se opozita do të merrte pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, megjithëse Vetëvendosja fitoi mjaftueshëm ulëse për të formuar qeverinë, ajo dështoi të siguronte pjesëmarrjen e nevojshme të opozitës për kuorumin e zgjedhjes së presidentit.

Partitë opozitare kanë kërkuar një kandidat konsensual, por Kurti ka nominuar Ministrin e tij të Jashtëm, Glauk Konjufca./Reuters/

 

Exit mobile version