UBT News

Restaurimi i Muzeut Etnografik të Beratit, rikthim i trashëgimisë kulturore për publikun

Screenshot

Ka përfunduar restaurimi i Muzeut Etnografik të Beratit dhe po punohet për rimuzealizimin dhe hapjen për publikun. Restaurimi u realizua falë financimit nga Fondet e Bashkimit Evropian, të fituar nga Këshilli i Qarkut Berat, duke i dhënë muzeut një dimension të ri në prezantimin e trashëgimisë qytetare dhe duke forcuar profilin kulturor e turistik të qytetit.

I hapur për herë të parë në vitin 1979 dhe i vendosur në banesën monumentale “Llavda”, muzeu ruan rreth 1,300 artefakte që pasqyrojnë mënyrën e jetesës, mjeshtërive dhe kulturës qytetare ndër shekuj. Në katin përdhes, vizitorët mund të njohin rrugicën e pazarit mesjetar dhe zejet më të zhvilluara të trevës, si qëndistaria, argjendaria, punimi i bakrit dhe veshjet e zbukurimet e shtresave të pasura qytetare. Pjesa e hapur e hajatit paraqet zejet që kryheshin në shtëpi, si dhe oborrin me objekte gurgdhendjeje dhe qeramike.

Në katin e sipërm vizitorët mund të shohin organizimin dhe traditat e një familjeje qytetare të pasur, përfshirë çardakun, dhomën e punës dhe odën e miqve. Muzeu është ndërtuar në fillim të shekullit XVIII dhe ndodhet në zonën e mbrojtur pranë qendrës historike, duke ofruar një përvojë të plotë të jetesës qytetare të kaluar.

Rihapja e muzeut në verën e vitit 2026 pritet të shënojë një moment të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të Beratit, duke rikthyer në jetë një pasuri të çmuar të qytetit dhe duke fuqizuar turizmin dhe promovimin e kulturës lokale.

Exit mobile version