Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta që kanë përfshirë territorin e Komunës së Lipjanit kanë shkaktuar dëme në disa zona, duke prekur sektorin e bujqësisë, infrastrukturën publike dhe rrjetin energjetik.
Sipas Komunës së Lipjanit, dëme janë evidentuar në shkollën e Gadimes, Sallën Sportive dhe shtigjet e ecjes, ku në disa segmente janë rrëzuar drunj, duke paraqitur rrezik për qytetarët. Gjithashtu, në disa lokalitete janë dëmtuar dhe rrëzuar shtylla elektrike, çka ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Ekipet e shërbimeve publike, në bashkëpunim me strukturat emergjente dhe institucionet përkatëse, kanë dalë në terren dhe po punojnë në vlerësimin e situatës, sanimin e dëmeve dhe largimin e pengesave, me qëllim rikthimin e gjendjes në normalitet dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat e prekura dhe të shmangin qëndrimin pranë objekteve, pemëve dhe shtyllave të dëmtuara, të cilat mund të paraqesin rrezik.
Po ashtu, qytetarëve u është rekomanduar të jenë të kujdesshëm edhe gjatë ditëve në vijim, pasi sipas parashikimeve meteorologjike priten reshje intensive dhe erëra të fuqishme./A.K/
