Për herë të parë pas gati një shekulli, vepra “La femme aux lilas” e piktorit francez Pierre-Auguste Renoir do të dalë në ankand, me një vlerë të parashikuar nga 25 deri në 35 milionë dollarë.
Piktura do të prezantohet më 18 maj në ankandin e Artit të Shekullit të 20-të të shtëpisë prestigjioze Christie’s. Ajo paraqet Nini Lopez, një aktore të re pariziene, të portretizuar me flokë të artë, lëkurë të zbehtë dhe faqe të skuqura, teksa mban një buqetë me lule të bardha dhe rozë dhe shikon në distancë.
Vepra u ble fillimisht në vitin 1929 për 100 mijë dollarë nga koleksionistja amerikane Joan Whitney Payson dhe bashkëshorti i saj, Charles Payson. Që atëherë, ajo ka qenë pjesë e një prej koleksioneve më të rëndësishme të artit impresionist dhe post-impresionist në Shtetet e Bashkuara. Familja Whitney-Payson njihet si një ndër koleksionistet më të mëdha amerikane të shekullit 20, ndërsa koleksioni i tyre sot është në huazim të përhershëm në Muzeun e Artit Portland në Maine. Aktualisht, piktura është pjesë e koleksionit të Lorinda Payson de Roulet, vajza e çiftit.
Dalja në ankand e kësaj vepre pas 97 vitesh konsiderohet një moment i rëndësishëm për tregun ndërkombëtar të artit, duke rikthyer në vëmendje një nga emrat më të mëdhenj të impresionizmit.
