UBT News

REL: Prokuroria serbe thotë se BIA nuk i është përgjigjur kërkesës për ta marrë në pyetje Vuçiqin në rastin “Panda”

Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka bërë të ditur se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë nuk u është përgjigjur kërkesave për zhvillimin e bisedave me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe me ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një përgjigje për REL-in, Prokuroria tha se ka kërkuar në disa raste nga BIA që të zhvillojë biseda me personat e propozuar për të verifikuar nëse ata posedojnë informacione të rëndësishme për hetimin, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Sipas Prokurorisë, veprimet e mëtejshme do të varen nga raporti që pritet të dorëzohet nga BIA.

Kërkesa për marrjen në pyetje të Vuçiqit, Stanishiqit dhe Simatoviqit është paraqitur nga avokati i familjeve të viktimave, Ivan Niniq, i cili argumenton se ata mund të kenë njohuri të rëndësishme për rastin. Në veçanti, Vuçiq ka deklaruar disa herë publikisht se ekzistojnë informacione lidhur me vrasjet në kafenenë “Panda”, ndërsa në vitin 2013 kishte thënë se nuk kishte prova që autorë të krimit ishin shqiptarët dhe se opinioni publik serb do të përballej me “të vërteta të tmerrshme”.

Në kërkesën drejtuar Kryeprokurorit Publik, Niniq ka kërkuar gjithashtu që të verifikohen pretendimet se Radomir Boban Baqoviq mund të jetë autori i drejtpërdrejtë i masakrës. Këto pretendime u publikuan së fundmi në një video në rrjetin social Telegram nga shtetasi malazez në arrati, Milosh Medenica.

Prokuroria bëri të ditur se Baqoviqi nuk është marrë asnjëherë në pyetje në lidhje me këtë rast, pasi deri më tani nuk është konsideruar dëshmitar i besueshëm në hetim.

Autoritetet serbe theksuan se hetimet, të nisura në vitin 2016, vazhdojnë ende, pasi nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshim të bazuar mbi autorët e krimit. Prokuroria shtoi se është e gatshme t’i paraqesë Prokurorisë Supreme Publike një raport të plotë mbi veprimet e ndërmarra deri më tani.

Më 14 dhjetor 1998, pesë nxënës të shkollës së mesme dhe një studente u vranë kur persona të armatosur hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe hapën zjarr. Në atë kohë, autoritetet serbe arrestuan disa shqiptarë nën dyshimin për përfshirje në krim, por ata u liruan një vit më vonë nga Gjykata në Beograd për mungesë provash./REL/

D.L

Exit mobile version