Policia e Kosovës ka njoftuar se janë gjetur mbetje eshtërore të tre personave në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, në një lokacion ku po zhvillohen hetime lidhur me dyshimet për krime lufte dhe varre të mundshme masive.
Sipas raportit të Policisë, mbetjet janë gjetur më 14 gusht dhe, pas ekzaminimit nga eksperti mjeko-ligjor, është konfirmuar se ato janë me prejardhje njerëzore dhe kanë interes forenzik.
“Dyshohet që janë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në raportin policor.
Gërmimet në këtë zonë janë duke u zhvilluar prej javësh në tri lokacione në Zubin Potok, përfshirë Kalludrën e Vogël dhe, pas një hetimi rreth dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.
Më 7 gusht, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale njoftuan se mbetje mortore ishin gjetur edhe në lokacionin e tretë të dyshuar për varr masiv në këtë komunë.
Autoritetet kosovare kanë arrestuar tre persona në kuadër të hetimeve për këtë rast, ndërsa kanë thënë se njëri prej të arrestuarve dyshohet se ka qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar më herët se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të terrenit të vështirë dhe shpërndarjes së mbetjeve njerëzore.
Kurti ka thënë gjithashtu se mbetjet e gjetura në zonën e Kalludrës së Vogël mund t’u përkasin një grupi prej 23 shqiptarëve që janë zhdukur në atë pjesë të Kosovës gjatë vitit 1999.
Autoritetet, megjithatë, kanë paralajmëruar se është ende herët për të folur për identifikimin e viktimave.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.
Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme./REL/
