UBT News

Rektori i UBT-së: UBT dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, krijimi i platformës për zhvillimin e sportistëve të rinj

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i pranishëm në ceremoninë jubilare të shënuar me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON), një ngjarje me rëndësi historike për sportin kosovar dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.

Ceremonia mblodhi personalitete të larta nga bota e sportit, politikës dhe shoqërisë civile. Në mesin e të pranishmëve të veçantë ishte Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i cili lavdëroi përparimet e Kosovës në arenën sportive ndërkombëtare, duke theksuar rolin e saj në promovimin e vlerave të paqes, solidaritetit dhe bashkëpunimit global përmes sportit.

Gjatë fjalimit të tij, Rektori Edmond Hajrizi përgëzoi Komitetin Olimpik të Kosovës për përkushtimin dhe sukseset e arritura gjatë këtyre dhjetë viteve në skenën ndërkombëtare. Ai nënvizoi rëndësinë e sinergjisë mes institucioneve arsimore dhe sportive në edukimin e brezave të rinj dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre personal dhe profesional.

“Sporti dhe edukimi janë dy shtylla kryesore për ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar dhe të drejtë. Përmes bashkëpunimit të ngushtë mes UBT-së dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, ne mund të krijojmë një platformë ku të rinjtë tanë zhvillohen si sportistë dhe qytetarë shembullorë. Sporti është pasqyra ku reflektohen vlerat e një shoqërie bashkëpunimi, përkushtimi dhe guximi për të arritur majat“, tha Rektori Hajrizi.

Kjo ngjarje shënoi jo vetëm një moment për të festuar arritjet e deritanishme të sportistëve kosovarë në gara ndërkombëtare, por edhe një thirrje për angazhim të mëtejshëm në avancimin e sportit si një forcë për ndryshim pozitiv në shoqëri.

Në fund të ceremonisë, pjesëmarrësit reflektuan mbi rrugëtimin e Kosovës në sportin global, duke shprehur përkushtimin për të vazhduar me përpjekje për të ngritur lart flamurin e Kosovës në çdo arenë ndërkombëtare./UBTNews/D.E./

Exit mobile version