Gjatë punimeve të Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (ICSM 2026), Presidenti dhe Themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka bërë të ditur se ky institucion po punon intensivisht për krijimin e kapaciteteve të qëndrueshme shkencore dhe mjekësore në shërbim të ngjarjes më të madhe sportive në historinë e vendit – Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Sipas Rektorit Hajrizi, mjekësia sportive moderne tashmë e ka kaluar kornizën e thjeshtë të trajtimit të lëndimeve, duke u shndërruar në një fushë ndërdisiplinore ku bashkohen inteligjenca artificiale, pajisjet inteligjente të bartshme (wearables), diagnostikimi i avancuar dhe shëndeti funksional.
“Ne po shikojmë drejt Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ si një mundësi të madhe për të ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve të qëndrueshme në mjekësinë sportive, arsim, parandalim dhe rehabilitim. Synimi ynë nuk është thjesht të mbështesim një ngjarje sportive, por të forcojmë infrastrukturën shëndetësore dhe shkencore që do të mbetet trashëgimi afatgjatë për vendin pas tyre”, u shpreh Hajrizi.

Ai theksoi se vizioni i UBT-së është ndërtimi i një ekosistemi të integruar, ku arsimi, kërkimi shkencor dhe teknologjia vendosen plotësisht në shërbim të shëndetit publik dhe performancës sportive. Në këtë kuadër, koncepti “UBT Smart City” shërben si një hapësirë kërkimore praktike për zbatimin e inteligjencës artificiale, modelimit digjital dhe teknologjive më të avancuara interaktive në arsim.
“Në UBT, ne besojmë fuqimisht se e ardhmja e kujdesit shëndetësor dhe e mjekësisë sportive do të varet pikërisht nga ky integrim. Teknologjia nuk duhet të jetë qëllim në vete, por një mjet efektiv që na ndihmon të mbrojmë shëndetin, të parandalojmë dëmtimet dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së sportistëve dhe të gjithë komunitetit”, tha mes tjerash Rektori Hajrizi.
Përmes këtij angazhimi dhe akreditimit të fundit nga Federata Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (FIMS), UBT po konfirmohet si shtylla kryesore akademike dhe shkencore që do të mbështesë përgatitjet teknike e mjekësore për Lojërat Mesdhetare 2030.
