UBT News

Rektori Hajrizi u uron studentëve mirëseardhje dhe një fillim të mbarë të vitit akademik 2025/26

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u ka uruar mirëseardhjen studentëve të rinj dhe atyre aktualë në fillimin e vitit të ri akademik 2025/26. Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e këtij fillimviti, i cili sjell mundësi për suksese, përvoja të reja edukative dhe zhvillim personal e profesional.

Lexoni mesazhin e plotë të Rektorit Hajrizi:

Të dashur studentë të rinj dhe studentë aktualë të UBT-së,

Në emër të UBT-së dhe në emrin tim personal, ju urojmë mirëseardhje në fillimin e vitit të ri akademik 2025/26.

Ky është një fillimvit që na bashkon për më shumë suksese, përvoja të reja edukative e akademike, si dhe mundësi për zhvillim personal dhe profesional.

UBT mirëpret gjeneratën e re të radhës, e cila bashkë me studentët aktualë, që kanë besuar në edukimin dhe zhvillimin profesional të ofruar nga UBT, do të kontribuojë në një vit të pasur akademik.

Besojmë fuqimisht se, ashtu si gjithmonë, do të veprojmë për të arritur synimet tona kryesore: Top Education for Top Students, duke mbështetur jo vetëm studentët, por edhe zhvillimin e vendit dhe suksesin e Kosovës në arenën globale.

Ju keni zgjedhur të studioni në institucionin më prestigjioz, tashmë të dëshmuar edhe në nivel global, ku cilësia dhe inovacioni janë parimet themelore.

UBT është ranguar ndër universitetet më të mira në botë për cilësi, inovacion, ndërmarrësi, zhvillim të qëndrueshëm, teknologji dhe inteligjencë artificiale, dhe së fundmi, renditet në vendin e parë në botë për angazhimin dhe impaktin në shoqëri.

Për herë të parë në Kosovë dhe në rajon, UBT ka integruar Inteligjencën Artificiale, teknologjitë më të avancuara dhe infrastrukturën e kompletuar të një Qyteti të Mençur, së bashku me një staf cilësor, në rritje, dhe shumë të përkushtuar, në mënyrë që ju të jeni sa më të suksesshëm.

Kështu, gjatë studimeve, ju do të keni mbështetje të plotë nga profesorët, mentorët dhe strukturat tona akademike, duke ju dhënë hapësirën e duhur për të mësuar, krijuar dhe ndërtuar karrierën tuaj.

Ne jemi të përkushtuar t’ju ofrojmë një përvojë studimi të pasur, që jo vetëm do të ndikojë në jetën tuaj personale, por gjithashtu do të kontribuojë në shoqëri dhe në zhvillimin e Kosovës.

Ju uroj një vit akademik të suksesshëm, të mbushur me dije, përvoja dhe arritje të reja. Le të jetë ky vit një hap i sigurt drejt realizimit të ëndrrave tuaja!

Me respekt,

Prof. Dr. Edmond Hajrizi

President dhe Rektor i UBT-së

Exit mobile version