Në Kampusin Inovativ të UBT-së kanë nisur punimet e forumit akademik në kuadër të projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, i cili organizohet nga UBT dhe partenere e projektit. Ky aktivitet është pjesë e programit ndërkombëtar për shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke rikonfirmuar lidhjen e fuqishme historike mes Kosovës dhe SHBA-së.
Forumi me titull “Nga Çlirimi te Lidershipi: Edukimi i Gjeneratës së Ardhshme përmes Partneritetit Kosovë–SHBA” ka bërë bashkë një panel të shquar ku po diskutojnë Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, Daniel Serwer, Faton Bislimi nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, Edward P. Joseph, Besa Tafilaj Pinchotti dhe Mario Marquez.
Gjatë forumit, në cilësinë e drejtorit të projektit, Faton Bislimi u shpreh mjaft falënderues për bashkëpunimin e ngushtë dhe pritjen e shkëlqyer që i është bërë këtij organizimi madhor nga ana e institucionit mikpritës.
Ai vlerësoi lart angazhimin e të gjithë njerëzve vendas që mundësuan jetësimin e kësaj ngjarjeje, duke theksuar se ekipi që po menaxhon aktivitetet ka qenë forca shtytëse pas çdo gjëje që është arritur deri më tani.
Si kulmim i këtij momenti solemn, Bislimi i dorëzoi Rektorit Hajrizi një dhuratë ekskluzive të sjellë direkt nga kryeqyteti amerikan.
“Kjo është monedha zyrtare e ‘America 250’ që e sollëm nga Uashingtoni. Po jua dorëzoj këtë sepse është thjesht një shenjë e vogël vlerësimi për atë që keni bërë ju dhe për atë që ky universitet ka realizuar sot”, deklaroi Bislimi
Me këtë rast, ai falënderoi stafin e UBT-së dhe bëri të ditur se ky forum hap rrugën për aktivitete të tjera të rëndësishme që do të pasojnë gjatë kësaj jave.
/E.A/
