Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, kërkon të thyejë një rekord të klubit kur të udhëheqë skuadrën e tij kundër Manchester United këtë fundjavë.
Sunderland do të përballet me “Djajtë e Kuq” në një nga dy ndeshjet e Ligës Premier që luhen të shtunën në orën 15:00, duke shpresuar të vazhdojnë formën e mirë me të cilën kanë nisur sezonin e ri.
Historikisht, gjashtë skuadrat e fundit që ngjiten nga Championship janë rikthyer menjëherë në ligën e dytë, por Sunderland, së bashku me Leeds United dhe Burnley, po tregojnë se mund të jenë më të qëndrueshme në sezonin 2025/2026.
Nën drejtimin e trajnerit Regis Le Bris, Sunderland ka regjistruar vetëm një humbje në gjashtë ndeshjet e para të kampionatit, duke mposhtur West Ham United, Brentford dhe Nottingham Forest, si dhe duke barazuar me Crystal Palace dhe Aston Villa.
Që nga fitorja ndaj Brentford më 31 gusht, Xhaka ka dhënë asistim në tre ndeshje radhazi. Nëse shënon tjetër asistim kundër Manchester United, mesfushori dhe ish-lojtari i Arsenalit do të bëhej lojtari i parë i Sunderland që regjistron katër asistime radhazi që nga viti 1997.
I fundit që e arriti këtë ishte Chris Waddle, i cili iu bashkua Sunderlandit në mars 1997, pas një karriere te rivalët Newcastle United.
Waddle luajti shtatë ndeshje në kampionat me fanellën kuqebardhë, një shifër që Xhaka do ta barazojë këtë fundjavë nëse aktivizohet. Megjithatë, Waddle shënoi një gol dhe dha asiste në ndeshjet kundër Nottingham Forest, Newcastle, Liverpool dhe Middlesbrough.
Ai i’u bashkua Sunderlandit nga Bayer Leverkusen gjatë afatit kalimtar të verës dhe ka pasur ndikim te skuadra e sapongjitur në elitë. /A.Z/UBT News/