Liga e Kampionëve ka përfunduar raundin e tretë të fazës së grupeve me një rekord të ri historik, ku sipas të dhënave të UEFA-s, në 18 ndeshjet e këtij raundi janë shënuar plot 71 gola, shifër që nuk është regjistruar kurrë më parë në historinë e garës më prestigjioze evropiane për klube.
Edhe pse formati i ri përfshin një grup të vetëm me më shumë ndeshje se më parë, ky rezultat mbetet impresionues.
Raundi i parë i sezonit aktual 2025-26 kishte përfunduar me 67 gola, po aq sa raundi i pestë i sezonit të kaluar, ndërsa rekordi i mëparshëm mbahej nga raundi i tetë i edicionit 2023-24 me 64 gola.
Në formatin e vjetër me 32 ekipe dhe 16 ndeshje, raundi më i frytshëm ishte ai i parë i sezonit 2000-2001, me ndeshje spektakolare si Milan–Beşiktaş 4-1, Hamburg–Juventus 4-4 dhe Shakhtar–Lazio 0-3.
Në raundin rekord të kësaj jave, gjashtë ndeshje prodhuan pesë ose më shumë gola. Chelsea dhe Liverpool shënuan nga pesë gola secila, PSV dhe Barcelona nga gjashtë, ndërsa PSG e mbylli ndeshjen e saj me shtatë gola.
Tre ndeshje përfunduan pa gola.
Një javë e mbushur me spektakël, gola dhe emocione, konfirmoi se formati i ri i Ligës së Kampionëve po i ofron tifozëve më shumë argëtim se kurrë më parë./S.K/KP/
