Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Blerim Reka, ka pritur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju-Jork, Lum Çitakun, drejtor i Programeve në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Në takim është diskutuar promovimi ndërkombëtar i kinematografisë kosovare.
Në fokus të takimit ishte filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, i cili po shfaqet këto ditë në Nju-Jork dhe është propozimi zyrtar i Kosovës për edicionin e 99-të të çmimeve Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Në të njëjtën kategori garon edhe filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, i cili, sipas raportimit të Telegrafit, është kualifikuar drejtpërdrejt pas fitimit të çmimit kryesor të jurisë, World Cinema Grand Jury Prize, në Festivalin e Filmit Sundance në janar të këtij viti.
Gjatë takimit, Reka theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për krijimtarinë filmike dhe promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi kinematografinë si një nga mënyrat e rëndësishme për përfaqësimin dhe afirmimin e vendit në botë./A.K/
