Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja në konferencën e sotme për media ka analizuar miqësoren e nesërme me Armeninë, si dhe ka zbuluar lojtarët të cilët do të startojnë nga minuta e parë.
Shqipëria zhvillon nesër miqësoren e katërt të muajit nëntor kundër Armenisë, ndeshje kjo e fundit për këtë vit kalendarik.
Reja tha se në formacionin kundër Armenisë pritet të ketë rotacione dhe se lojtarët që do të luajnë do të jenë ata që janë thirrur së fundit në Kombëtare, ndërsa tha se ndeshja e nesërme paraqet rëndësi të madhe për ta.
“Bëhet një vit e 3 ditë që nga fitorja e fundit që kemi pasur me Shqipërinë. Më vjen shumë keq sepse nuk jam mësuar me rezultate të tilla. Armenia është një ndeshje e rëndësishme dhe paraqet një vlerë shumë të madhe për ne. dua të provoj sa më shumë lojtarë të rinj dhe sigurisht edhe rezultati nuk duhet lënë mënjanë. Dua të provoj lojtarët e rinj, sidomos nga kampionati shqiptar janë 3-4 lojtarë që kanë treguar vlerat e tyre me Arabinë Saudite dhe Katarin dhe pres të bëjnë mirë në këtë takim. Është një ndeshje që paraqet rëndësi të madhe për ne”, tha Reja.
“Sa i përket të rinjve, mund të them që mund të luajnë nga minuta e parë Hadroj, Gurishta, të shohim Bitrin, ndërsa në sulm edhe Muçi e Skuka do luajnë që nga minuta e parë dhe jam i bindur që do bëjnë një paraqitje të mirë. Për mua janë lojtarë me vlera dhe mendoj se do të bëjnë një ndeshje shumë të mirë”, shtoi Reja.
Po ashtu, Reja komentoi faktin se ndeshja e nesërme mund të jetë e fundit në stolin e Shqipërisë, duke thënë se nëse nuk do të jetë më trajneri i “kuqezinjve”, ai mbetet i dashuruar me Shqipërinë.
“Sigurisht që në këtë drejtim e ndjej si një ndeshje të veçantë dhe emocionuese, por nëse nuk do jem trajneri i Shqipërisë unë mbetem i dashuruar me këtë vend. Para pak ditësh vizitova jugun e Shqipërisë dhe vizitova Sarandën e Gjirokastrën, që më kanë pëlqyer shumë. Flitet shumë për jugun e Shqipërisë, por nuk ka vetëm jugun, ky vend është shumë i bukur, është shumë e sigurt që nëse unë nuk do të jem trajner i Shqipërisë, unë do të kthehem këtu, qoftë edhe për të vizituar Shqipërinë, por edhe për të parë ndonjë ndeshje. Nuk e di çfarë mendoni ju, por ka shumë njerëz që më duan vërtetë dhe më respektojnë. Do të doja të vizitoja edhe Krujën, pasi kam lexuar disa libra për të njohur akoma edhe më mirë Shqipërinë. At Zef Pllumin, apo edhe Ismail Kadarenë. Turqit kanë vuajtur shumë, derisa i pushtuan, pasi shqiptari ka treguar karakter shumë të fortë me turqit dhe do doja që këtë karakter të fortë ta tregonte edhe duke luajtur futboll”, tha Reja.
Reja tregoi se dëshiron që ta vazhdojë qëndrimin në Kombëtaren e Shqipërisë por e pranoi se kjo gjë nuk është në dorën e tij.
“Unë në aspektin personal dua të vazhdoj, por nuk jam unë ai që vendos për këtë marrëdhënie. Jemi përpjekur të punojmë me të rinjtë, me disa elemente të kampionatit shqiptar të cilët janë shumë të vlefshëm dhe po mundohemi t’i ingranojmë në kombëtare që të tregojnë vlerat e tyre”, tha Reja.
Nesër me fillim nga ora 17:45 Shqipëria do ta zhvillojë ndeshjen e fundit për këtë vit kalendarik, ku e pret në stadiumin “Air Albania” Kombëtaren e Armenisë.
Së fundmi, Armenia barazoi 2:2 si mysafire e Kosovës në “Fadil Vokrri”.