Nesër me fillim nga ora 20:45, Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë ndeshje në stadiumin “Air Albania” kundër San Marinos.
“Kuq e Zinjtë” gjenden në Gurpin I të kualifikimeve për në “Katar 2022” së bashku me kombëtaret e tjera si ajo e Polonisë, Anglisë, Hungarisë, Andorrës dhe San Marinos, përcjell KosovaPress.
Para ndeshjes me San Marinon, trajneri i Shqipërisë Edy Reja dhe mbrojtësi i krahut të djathtë Elseid Hysaj dolën në një konferencë për media, duke treguar pikat kyçe para ndeshjes së nesërme.
Fillimisht, ishte Hysaj ai i cili e hapi këtë konferencë, duke treguar për vetëbesimin e skuadrës që ka për ta vazhduar ëndrrën për kualifikim tutje.
“Ky vetëbesim duhet, e kemi që nga përpara por jemi duke e përforcuar akoma shumë. Si të them, me të vërtetë jemi një skuadër shumë e fortë, dhe besoj që Shqipëria nuk ka pasur kaq shumë futbollistë që luajnë në nivelin evropian dhe janë të aktivizuar nëpër skuadrat që luajnë tani. Kështu që duhet ta kemi besimin në vetvete se jemi një skuadër shumë e fortë, që duhet thjeshtë të shkojmë në fushë me vetëbesimin që mund të bëjmë më mirë, siç e pamë edhe me Hungarinë sepse me të vërtetë luajtëm mirë dhe kishim raste për të shënuar shumë gola dhe për të ardhmen kjo na duhet, besimi në vetveten tonë qe jemi një skuadër e fortë dhe mund të garojmë me të gjitha ekipet”, tha Hysaj.
Po ashtu, Hysaj foli edhe për ndeshjet e kthimit të Shqipërisë kundër Kombëtareve si ajo e Polonisë, Hungarisë dhe e San Marinos.
“Unë besoj që kemi mundësi, kemi shumë mundësi që të marrim ndonjë pikë ndaj Polonisë dhe ndaj Hungarisë. Si thua për San Marinon, me të vërtetë është një ekip që ne jemi të favorizuar dhe besoj që duhet të jemi në konvercion që jemi të fortë, dhe jemi më të fortë se ata , dhe tre pikëshi duhet të jetë e jona se s’bën. Kurse për Poloninë dhe Hungarinë janë dy ndeshje që jemi duke e pritur besoj me zor sepse me të vërtetë, me Poloninë na ka mbetur pak inati sepse ndeshjen e bëmë ne”, tha Hysaj.
Pas mbrojtësit të skuadrës italiane Lazio Hysaj, fjalën morri trajneri i “Kuq e Zinjëve” Edy Reja, i cili fillimisht shfrytëzoi rastin që të flas për kundërshtarin e nesërm, San Marinon.
“Për mendimin tim ndaj San Marinos do të jetë ndeshje shumë e vështirë nuk është aspak ashtu për ne pra, nuk e marrim si një rivalë të lehtë, pavarësisht rezultateve qe ka marrë në eliminatore San Marino është një rivalë për mendimin tim i vështirë dhe i organizuar. Ne thjesht duhet të kemi frymën e duhur kur të hymë në fushë pra të kemi shpirtin e duhur të garës dhe të jemi të përqendruar në maksimum dhe të bëjmë një lojë të mirë”, tha Reja.
Po ashtu, Reja foli edhe për gjasat e Shqipërisë që të përfundojë në pozitën e dytë të Grupit I.
“Sigurisht që kemi konkurrencë shumë të fortë në këtë grup në eliminatore. Kemi Hungarinë që e kemi parë tashmë është një skuadër shumë e fortë shumë e përgatitur fizikisht. Edhe Polonia po ashtu është një rival shumë i fortë, sidomos në aspektin kualitativ, pra ka individualitete shumë të mira. Por ne kemi treguar gjatë gjithë periudhës së fundit që kemi pasur rritje dhe kemi bërë paraqitje shumë të mira në vazhdimësi”, tha Reja.
Trajneri Reja pastaj tregoi se a do të ketë ndryshim të formacionit ndaj ndeshjes me San Marinon duke marrë parasysh mungesat si ajo e Abrashit dhe Gjasulës.
“Sigurisht që do të ketë risi në ndeshjen ndaj San Marinos. Kemi dy lojtarë të cilët janë skualifikuar dhe nuk do të jenë të gatshëm për këtë ndeshje, siç e thamë pra Abrashi i dëmtuar dhe Gjasula i skualifikuar. Por nuk duhet të zhbalancohemi shumë sepse më duhet të shoh edhe sistemin e lojës pra mënyrën se si do të luajmë ndaj San Marinos, për të marrë një vendim sa i përket formacionit”, tha Reja.
Për fund, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë tregoi se a do të ketë goleadë ndaj San Marinos, duke e cilësuar si rivalë të fortë, dhe se në pyetje janë vetëm tre pikët.
“Për të marrë pikët ne duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Gjithsesi sigurisht ju përmendët rezultatet e Polonisë dhe Anglisë, por unë do të them që Polonia dhe Anglia janë shumë më të forta se sa ne, dhe patjetër që kanë bërë fitore me goleada, por në këtë ndeshje mua më interesojnë vetëm tre pikët. Nuk më intereson më shumë loja e bukur se sa më interesojnë tre pikët. Është diçka vendimtare. Sigurisht nuk e marrim lehtë ne e vlerësojmë San Marinon për vlerat që ka. Jemi të favorizuar pra po themi në letër por ajo që më intereson janë thjesht pikët dhe asgjë tjetër në këto momente”, tha Reja.
Nesër me fillim nga ora 20:45, Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e xhiros së gjashtë të Grupit I kundër San Marinos si vendase në stadiumin “Air Albania”.