Grupi amerikan Offspring ka vendosur që të largojë momentalisht bateristin e grupit, Pete Parada, pasi ai ka vendosur që të mos vaksinohet për Covid-19.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, pjesëtari i Offspring që nga viti 2007, bëri me dije se vuan nga sindroma Guillain-Barrè, një sëmundje e sistemit nervor, dhe për këtë arsye nuk mund të vaksinohet.
“Për njerëzit si unë, rreziqet e vaksinës janë më të mëdha sesa të mirat. Unë e kam kaluar lehtë koronavirusin dhe jam i sigurtë që mund ta kaloj sërish pa problem. Por, sëmundjes që kam që kur isha fëmijë, nuk i mbijetoj dot nëse përkeqësohet. Duke qenë se nuk mund ta përmbush dot detyrimin e vendosur nga industria muzikore, kemi vendosur që nuk është e sigurt që unë të bëj turne me grupin nëpër botë”, shkruan bateristi në Instagram.
Grupi Offspring, që publikoi në prillin e këtij viti albumin e ri “Let the Bad Times Roll”, nuk ka komentuar ende mbi këtë çështje./A2