Duke reflektuar mbi temën e rëndësisë së Pronësisë Intelektuale (IP) në promovimin e inovacionit dhe kreativitetit, të martën në Parkun Shkencor Innovativ të UBT-së, në Lipjan u bë një forum i diskutimit të thellë dhe reflektimit mbi këtë çështje të rëndësishme për shoqërinë.
Ahmet Maloku, dekan i Fakultetit Juridik, shpreh rëndësinë e Pronësisë Intelektuale (IP) në zhvillimin shoqëror dhe inovacionin. Ai shpjegoi se në kohën e ndryshimeve të shpejta teknologjike, mbrojtja e pronësisë intelektuale është e rëndësishme për të siguruar që krijuesit dhe inovatorët të kenë mbështetje.
“Pronësia intelektale është themelore për zhvillimin e një shoqërie të drejtë dhe innovative. Ajo na jep mundësinë të mbrojmë dhe të shpërblejmë krijmtarinë e inovacionit. Në kohërat e sotme të ndryshimeve të shpejta teknologjike të zhvillimit të informacionit, mbrojtja e pronësisë intelektuale është më e rëndësishme se kurrë. Është detyrë e jona si individ dhe si shoqëri të sigurojmë që krijuesit dhe inovatorët të kenë mbështetje dhe motivim për të krijuar dhe për të ndarë idetë e tyre me botën”, deklaroi Maloku.
Isa Dukaj nga Agjencia për Pronësi Industriale sqaron procesin e regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale dhe nevojën për mbrojtjen e tyre. Dukaj përshkroi procesin e regjistrimit si një mjet për të siguruar mbrojtjen e objekteve të tyre nëse ato fillonin të keqpërdoren ose nëse dikush tjetër përpiqej t’i merrte ato si pronë të tyre.
“Të gjitha objektet e pronësisë industriale për përjashtim të drejtës së autorit regjistrohen. Në secilin shtet ekzsiton një institucion që mirret me regjistrimin e tyre dhe pronarët e këtyre objekteve që ti realizojnë të drejtat e tyre patjetër se duhet ti regjistrojne këto objekte. Regjistrimi i tyre nuk është se bëhet për ti kontestuar apo shikuar nëse ato objekte janë apo nuk janë të tyre, mirëpo nëse fillon e keqpërdoret një objekt i tyre ose i merret një patentë, një markë, një dizajn, atëherë ai duhet të dëshmojë dikund kush është pronari i tyre”, deklaroi Isa Dukaj.
Sadie Topojani nga Dogana e Kosovës vë në pah rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të krijuesve, duke u bazuar në legjislacionin e Kosovës, siç është Kushtetuta. Ajo citonte Kushtetutën e Republikës së Kosovës si burim kryesor i mbrojtjes së pronësisë intelektuale.
“Pse është e rëndësishme krijueshmëria, krijuesit duhet ti mbrohet ajo e drejtë, për cfarë arsyje duhet ti mbrohet ajo e drejtë, që të gjenerojë të hyra, nxit konkurencën, inovacionin. Organet ligj-zbatuese janë shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave. Burim kryesor i mbrojtjes së këtyre të drejtave në Kosovë është akti më i lartë- Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Neni 46 i Kushtetutës ‘mbron të drejtën e pronës’ dhe Paragrafi 5. thotë se ‘Prona intelektuale mbrohet me ligj’. Neni 48 thotë se ‘liria e krijimtarisë artistike dhe shkencore është e garantuar”, deklaroi Topojani.
Ky diskutim u bë një platformë e rëndësishme për të sensibilizuar publikun dhe aktorët e ndryshëm në shoqëri për rëndësinë e Pronës Intelektuale dhe për nevojën për të forcuar legjislacionin dhe institucionet./UBTNews/
Dionesa Ebibi