Real Madridi ka arritur të rikthehet te fitorja në La Liga, duke mposhtur Real Betis me rezultatin 2-0 në kuadër të javës së tretë të kampionatit spanjoll. Kjo ishte një ndeshje ku Kylian Mbappe ishte heroi i takimit, duke shënuar të dy golat për skuadrën e tij.
Në pjesën e parë të ndeshjes, asnjëra nga skuadrat nuk arriti të shënonte, edhe pse të dyja kishin raste për të marrë epërsinë. Abde Ezzalzoul ishte i pari që rrezikoi për mysafirët, ndërsa për Los Blancos, Eder Militao, Vinicius Junior dhe Rodrygo provuan të rrezikojnë portën e Real Betis, por pa sukses.
Në pjesën e dytë, ndonëse të dy skuadrat vazhduan të kërkojnë golin, ishte minuta e 67-të që solli shëmbjen e barazimit. Fede Valverde asistoi në mënyrë të shkëlqyer për Kylian Mbappe, i cili e ktheu atë në gol, duke e çuar Real Madridin në avantazh 1-0.
Tetë minuta më vonë, një rast në zonë për Vinicius Junior rezultoi në një penallti, pasi gjesti u shqyrtua nga VAR-i. Mbappe mori përsipër të gjuajë nga pika e bardhë dhe e shfrytëzoi mundësinë për të dyfishuar epërsinë për Real Madridin, duke shënuar për 2-0.
Në minutat e fundit, Endrick kishte një mundësi të mirë për të ndryshuar shifrat, por përpjekja e tij u ndal nga portieri i Real Betis, duke e lënë rezultatin përfundimtar 2-0 në favor të Real Madridit.
Me këtë fitore, Real Madridi tani ka grumbulluar 8 pikë në La Liga, ndërsa Barcelona, që është lider, kryeson me 12 pikë./UBTNews/