Real Madridi është shumë pranë finalizimit të një tjetër transferimi të rëndësishëm në merkaton e verës. Mbrojtësi Yan Diomande pritet të bëhet përforcimi më i ri i “Los Blancos”, ndërsa marrëveshja mes palëve ka hyrë në fazën përfundimtare.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, transferimi nuk është zyrtarizuar ende vetëm për shkak se RB Leipzig po punon për të gjetur një zëvendësues të menjëhershëm për mbrojtësin. Klubi gjerman dëshiron ta konfirmojë largimin e Diomandes vetëm pasi të ketë siguruar afrimin e një futbollisti tjetër për ta plotësuar boshllëkun në repartin defensiv.
Romano thekson se marrëveshja mes Real Madridit dhe Leipzigut është arritur tashmë në të gjitha aspektet, ndaj nuk ekzistojnë pengesa reale që mund ta rrezikojnë transferimin. Zyrtarizimi pritet të ndodhë sapo klubi gjerman të përfundojë lëvizjen e tij në merkato.
Për Diomanden kishte shfaqur interes serioz edhe Paris Saint-Germain, i cili për një kohë konsiderohej favorit për nënshkrimin e mbrojtësit. Megjithatë, ndërhyrja e Real Madridit ndryshoi rrjedhën e negociatave, duke bërë që klubi francez të tërhiqej nga gara për transferimin e lojtarit.
Me PSG-në tashmë jashtë garës, “Los Blancos” pritet ta zyrtarizojnë shumë shpejt afrimin e Yan Diomandes. Pas mbylljes së kësaj marrëveshjeje, drejtuesit e klubit madrilen do ta përqendrojnë vëmendjen te objektivi i radhës në merkato, mesfushori spanjoll Rodri.
D.L
