UBT News

Real Madridi nuk heq dorë nga Michael Olise, por transferimi këtë verë duket i pamundur

Anësori francez Michael Olise nuk pritet të largohet nga Bayern Munich gjatë kësaj vere, pavarësisht interesimit të madh të Real Madridit për ta transferuar.

Sipas gazetarit gjerman Christian Falk, kampioni gjerman nuk ka ndërmend të lejojë largimin e 23-vjeçarit në afatin aktual kalimtar. Megjithatë, situata mund të ndryshojë verën e ardhshme, nëse Olise vendos të mos rinovojë kontratën me Bayernin, çka do ta detyronte klubin bavarez të shqyrtonte mundësinë e shitjes së tij.

Raportohet se vetë futbollisti e sheh Real Madridin si destinacionin ideal për karrierën e tij, por pozita e fortë e Bayernit në negociata dhe shuma e lartë që klubi gjerman do të kërkonte për kartonin e tij e bëjnë transferimin këtë verë pothuajse të pamundur.

Ndërkohë, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, vazhdon ta konsiderojë Olisen si një nga objektivat kryesorë të klubit. Perez thuhet se është mahnitur nga zhvillimi i shpejtë i francezit te Bayerni, si dhe nga paraqitjet e tij mbresëlënëse në Kupën e Botës.

Edhe pse një marrëveshje nuk pritet të realizohet këtë verë, Real Madridi mbetet i interesuar dhe mund të rikthehet me një ofertë serioze në afatin kalimtar të verës së ardhshme, nëse krijohen kushtet për transferimin e sulmuesit francez.

D.L

Exit mobile version