Real Madridi ka kthyer vëmendjen nga Martin Zubimendi, të cilin e sheh si një alternativë për përforcimin e mesfushës, pasi nuk ka arritur të sigurojë shërbimet e mesfushorit të Manchester Cityt, Rodri.
Sipas raportimeve të “Mundo Deportivo”, gjiganti spanjoll po shqyrton mundësinë e transferimit të Zubimendit, i cili pas vetëm një sezoni te Arsenali është shndërruar në një prej lojtarëve të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta.
Megjithatë, një transferim i mundshëm nuk do të jetë i lehtë. Arsenali nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e mesfushorit spanjoll për më pak se 90 milionë euro, duke vendosur një çmim të lartë për një prej pjesëtarëve kryesorë të repartit të mesfushës.
Zubimendi iu bashkua Arsenalit nga Real Sociedad dhe ka arritur të përshtatet shpejt me futbollin anglez. Para tij, Real Madridi kishte tentuar të afronte Rodrin si një prej objektivave kryesorë për mesfushën, por interesimi për fituesin e Topit të Artë nuk është konkretizuar.
Në rast se transferimi te Real Madridi realizohet, Zubimendi do të rikthehej në La Liga pas vetëm një sezoni në Premier League, këtë herë për të veshur fanellën e një prej klubeve më të mëdha në Evropë.
Për momentin, Arsenali mbetet i vendosur në kërkesën prej 90 milionë eurosh, ndërsa tash i takon Real Madridit të vendosë nëse është i gatshëm të bëjë investimin për transferimin e mesfushorit spanjoll.
D.L
