Real Madridi po kalon momentin e tij më të vështirë këtë sezon. Skuadra e Xabi Alonso ka regjistruar tre ndeshje radhazi pa fitore, duke marrë vetëm dy pikë nga nëntë të mundshme.
Situata ka bërë që epërsia prej pesë pikësh në krye të La Ligës, pas triumfit 4-0 ndaj Valencias më 1 nëntor, të shkrihet pothuajse plotësisht.
Barazimi në Vallecas dhe ai i fundit 2-2 në fushën e Elches, të kombinuar me fitoren e Barcelonës, e kanë lënë Realin vetëm një pikë para katalanasve. Me një vizitë të vështirë në Spotify Stadium që e pret dhe 25 ndeshje deri në fund, presioni është rritur dukshëm.
Problemet nuk kufizohen vetëm në La Liga. Forma rënëse nisi në Ligën e Kampionëve, ku Madridi u mund 1-0 në Anfield, një ndeshje ku loja ishte edhe më e dobët sesa tregon rezultati.
As ndryshimi në skemë, kalimi në mbrojtje me tre, nuk solli përmirësim. Elche dominoi për pjesë të mëdha të lojës dhe dy herë kaloi në avantazh. Vetëm goli i vonë i Jude Bellingham shmangu një humbje tjetër.
Ndërkohë, Xabi Alonso shpjegoi arsyen pse Vinicius nisi nga stoli dhe mohoi se skuadra po “shembet”, por pranoi se loja dhe rezultatet duhet të përmirësohen.
Ndeshja e radhës është të mërkurën në stadiumin Karaiskakis kundër Olympiacosit, një test tjetër i fortë për një Madrid që po humbet terren në një muaj nëntor të errët./KP
