UBT News

Real Madridi fiton në El Clasico, tani fokusi te Liga e Kampionëve

Real Madridi ka triumfuar në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni, duke mposhtur Barcelonën me rezultat 2:1 në “Alfredo di Stefano”.

Skuadra e Zinedine Zidane nisi furishëm ndeshjen, duke rrezikuar disa herë në minutat e para. Pikërisht, në ato minuta edhe gjeti golin e parë, kur pas një krosimi në zonë, bukur u gjend Karim Benzema që realizoi gol të bukur me fintë në minutën e 13-të.

Los Blancos vazhdoi me dominim të ndeshjes, dhe goli i dytë nuk u vonua. Kësaj radhe, Toni Kroos me një goditje fenomenale nga gjuajtja e lirë dyfishoi rezultatin në minutën e 28-të.

Pas pësimit të dy golave, Barcelona nisi të këndellej, por nuk arriti të shënonte në pjesën e parë.

Pjesa e dytë nisi mirë për skuadrën e Ronald Koeman, që gjeti golin në minutën e 60-të përmes mbrojtësit Oscar Mingueza.

Në vazhdim, Barça u përpoq të barazonte rezultatin, por ishte e pamundur falë organizimit të mirë defanziv të vendasve.

Në pjesën e parë dominoi Reali, kurse pjesa e dytë i takoi katalunasve.

Në fund mesfushori Casemiro u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Realin për disa minuta me një futbollist më pak në fushë.

Pas kësaj fitore, Real Madrid, Barcelona dhe Atletico Madrid ndezin garën për titullin e La Ligas Spanjolle, teksa madrilenët janë në garë edhe për Ligën e Kampionëve.

Exit mobile version