Televizioni zyrtar i Real Madridit ka tërhequr vëmendjen e mediave spanjolle pas ndërprerjes së transmetimit special kushtuar ceremonisë së “Topit të Artë 2026”, menjëherë pasi Harry Kane u shpall fitues i çmimit prestigjioz.
Real Madrid TV kishte ndryshuar programin e zakonshëm, duke shtyrë transmetimin e dy filmave për të ndjekur drejtpërdrejt momentet përfundimtare të ceremonisë në Londër.
Përmes emisionit special “Real Madrid Connect”, televizioni madrilen ndoqi shpalljen e fituesve, me shpresën se sulmuesi francez Kylian Mbappe do të triumfonte në garën për çmimin individual më të rëndësishëm në futboll.
Gjatë transmetimit, komentatorët theksuan se pritshmëritë e tifozëve madrilenë ishin të përqendruara te Mbappe. Megjithatë, në momentin kur Ronaldo Nazario shpalli Harry Kane fitues, reagimi i tyre ishte ndryshe nga ai që kishin shpresuar.
Komentatorët uruan sulmuesin anglez të Bayern Munichut për suksesin, por njëkohësisht shprehën bindjen se edhe Mbappe e kishte merituar çmimin.
“Urime lojtarit të Bayernit dhe futbollistit anglez. Presim mundësinë e radhës për Kylian Mbappen. Mendoj se edhe ai e meritonte të shpallej fitues, por kjo nuk do të thotë se triumfi i Kane ishte i pamerituar. Ai është një futbollist i shkëlqyer”, u shprehën komentatorët.
Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte përfundimi i menjëhershëm i programit special pas shpalljes së fituesit.
“Faleminderit të gjithëve që na u bashkuat sonte. Reali fitoi në Barcelonë dhe Harry Kane është fituesi i Topit të Artë. Shihemi nesër”, ishte mesazhi përmbyllës i transmetimit.
Menjëherë pas kësaj, Real Madrid TV kaloi në transmetimin e filmit aksion “Sniper: Special Ops”, të vitit 2016, me aktorin Steven Seagal në rolin kryesor.
Ky veprim është komentuar nga mediat spanjolle, të cilat e kanë lidhur ndërprerjen e programit me faktin se Mbappe nuk arriti ta fitonte trofeun.
Megjithatë, nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar nga televizioni i klubit madrilen se përfundimi i transmetimit ishte pasojë e rezultatit të ceremonisë.
D.L
