E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi po bëhet gjithnjë e më e paqartë, sepse kontrata e brazilianit skadon në vitin 2027 dhe rinovimi i tij nuk është zgjidhur ende, duke hapur derën për interesim të madh nga klubet e tjera.
Sipas DefensaCentral, Real Madridi ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë ofertë nën 100 milionë euro për sulmuesin dhe kjo shifër tashmë u është komunikuar agjentëve që pyesin çdo ditë për situatën e lojtarit.
Vetë lojtari ka treguar publikisht se dëshiron të vazhdojë te Real Madridi, por me ardhjen e trajnerit Xabi Alonso roli i tij ka ndryshuar.
Ai nuk është më titullar i padiskutueshëm, për shkak të sistemit më të ngurtë dhe rotacioneve që po përdor trajneri. Ky ndryshim ka krijuar pasiguri te lojtari dhe ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në klub.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, është i vendosur të mos humbasë kontrollin mbi situatën: ose rinovim, ose shitje por asnjë largim me ulje çmimi.
Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë dhe nëse Vinicius ndihet i rëndësishëm në projektin e Xabi Alonsos, rinovimi mund të bëhet realitet.
Për momentin, një gjë është e sigurt se Real Madridi nuk pranon oferta nën 100 milionë euro për yllin brazilian./S.K/KP/Al Jazeera/
