Real Madrid po e monitoron me kujdes situatën e Trent Alexander-Arnold. Kontrata e mbrojtësit të Liverpoolit skadon në vitin 2025 dhe për momentin nuk ka ndonjë negocim mes palëve për rinovimin e saj.
“Los Blancos” e sheh si zëvendësuesin përfekt të Dani Carvajalit, teksa një tjetër faktor plus është edhe fakti që lojtari i kombëtares angleze mbulon disa role në fushë me Jurgen Kloppin që e ka provuar 25-vjeçarin edhe në mesfushë.
Lamtumira e Jurgen Kloppit nga “The Reds” shtyn edhe më tepër Realin që të këmbëngulë në transferimin e Arnold. Spanjollët besojnë se pa teknikun gjerman në Anfield, do të jetë më e lehtë për t’i rrëmbyer Liverpoolit një nga lojtarët më të rëndësishëm.
Për momentin ende nuk ka një informacion mbi preferencat e Arnoldit që me fanellën e Liverpoolit numëron më shumë se 300 ndeshje.
Mirëpo Reali sapo e ka nisur ofensivën në drejtim të anësorit dhe e ndjek nga afër situatën në klubin anglez duke e bërë Trent Alexander-Arnoldin një objektiv për merkaton e verës së vitit 2024./UBTNews/