Ditëve të fundit media të ndryshme në Kosovë kanë raportuar lidhur me mundësinë që ish-futbollisti Shefki Kuqi, të marrë drejtimin e Kombëtares U-21 të Kosovës.
Me këtë rast, Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas këtyre spekulimeve, që Kuqin e ofronin me postin kryetrajnerit të grupmoshave U-21. FFK në deklaratën e saj ka potencuar se ende nuk është bërë ndonjë analizë lidhur me punën e trajnerëve në ekipet kombëtare zingjirë.
“Federata e Futbollit e Kosovës dëshiron të sqarojë opinionin lidhur me raportimet e fundit në media se Shefki Kuqi do të jetë përzgjedhës i ri i Kombëtares U21. Deri më tash Komiteti Ekzekutiv ende nuk është mbledhur për të analizuar punën e ekipeve kombëtare zinxhirë dhe për të diskutuar rreth ndryshimeve eventuale”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Mirëpo, Federata e Futbollit të Kosovës ka pranuar se Shefki Kuqi ka shprehur dëshirën që të jetë pjesë e Kombëtares U-21, gjë që sipas tyre e kanë shprehur edhe shumë të tjerë.
“Është e vërtetë që Shefki Kuqi ka shprehur interesim për të dhënë kontributin e tij për futbollin e Kosovës, por krahas tij janë edhe 7-8 emra tjerë që po ashtu kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare dhe KE i FFK-së do të analizojë mirë çdo gjë para se të vendosë për hapat konkret”, thuhet në reagimin e shtëpisë së futbollit kosovar./UBTNews