Edhe Donjeta Sadiku ka reaguar pasi mbeti përfundimisht jashtë pjesëmarrjes për në Kampionatin Botëror të Boksit.
Boksieres kosovare iu shua një ëndërr pasi synonte të fitonte medalje në këtë garë prestigjioze.
Boksieria nga Gollaku u pajis me vizë nga India vetëm dje pasdite, por që kjo ishte e pamjaftueshme për faktin se Qeveria indiane vendosi kushte të papranueshme.
Siç njoftoi Federata e Boksit të Kosovës, indianët i lëshuan vizat dje, por me kushtin që nuk u pranua nga pala kosovare, e cila u konsultua dhe u koordinua me autoritetet kosovare.
Më saktësisht, boksieres më të mirë kosovare iu vu kusht që të paraqitej në Botërorin e Indisë pa simbole shtetërore dhe, nëse eventualisht e fiton ndonjë medalje, të mos e ketë mundësinë ta dëgjojë dhe shijojë himnin shtetëror e as të mos shfaqet flamuri apo simbolet tjera.
Pra, këto kushte ishin të papranueshme pasi Donjeta synonte të garonte pa kushte, njëjtë si shtetet tjera të botës në Botërorin që do të fillojë të mërkurën.
Përmes një video, Donjeta Sadiku ka shfaqur zhgënjimin e saj nga kjo padrejtësi e bërë nga shteti i Indisë. Ajo ka kërkuar nga Qeveria indiane që të rishqyrtojë vendimin dhe të e lejojë të garojë me të drejtat që i takojnë, si çdo sportisti tjetër.
“Pavarësisht se gjatë vitit të kaluar kam fituar medalje botërore dhe evropiane, sot, përsëri, po më mohohet e drejta për të përfaqësuar shtetin tim me simbole shtetërore në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Indi. Ky vendim bie ndesh me të gjitha rregullat dhe ka shkaktuar zhgënjim të madh në mua dhe në të gjithë mbështetësit e mi. Federata e Boksit e Kosovës është anëtare në Federatën Botërorit të Boksit që nga nëntori i vitit 2014. Është e padrejtë që Kosova të trajtohet ndryshe nga të gjithë anëtarët e tjerë për arsye politike. Unë besoj në fuqinë e sportit për të bashkuar njerëzit dhe për të promovuar paqe dhe mirëkuptim midis popujve. Me këtë video po i bëj thirrje Qeverisë të Indisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të më lejojë të garojë për Republikën e Kosovës me të gjitha të drejtat që më takojnë. Ju inkurajoj të gjithëve që të më bashkoheni në këtë përpjekje dhe të flasim së bashku kundër kësaj padrejtësie”, ka deklaruar Donjeta Sadiku.