Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas deklaratave të akterëve të skuadrës së Legia Varshavës të cilët u ankuan në cilësinë e fushës gjatë përballjes me Dritën në Ligën e Konferencës.
Ademi ka thënë se fusha është ën gjendje shumë të mirë dhe me kualitet të lartë, andaj arsyetime e tilla nuk qëndrojnë.
Ja reagimi i plotë i Ademit:
Edhe pse gjatë punimeve të kësaj fushe ka marrë kohë me temperatura shumë të larta, fusha në stadiumin “Fadil Vokrri” është në gjendje shumë të mirë.
Arsyetimet e trajnerit të Legias se për shkak të fushës së dobët nuk patëm lojë nuk qëndrojnë, sepse të gjithë e dinë se fusha është hibride dhe e standardeve më të larta, prandaj konstatimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin.
Fusha është aty dhe mund të vizitohet nga çdokush dhe të kënaqet me një fushë e cila është e kualitetit të fundit. Falënderojmë MKRS-në dhe ministrin Hajrulla Çeku për investimin në këtë fushë, e cila ka arritur standarde të shkëlqyeshme.
E gëzofshin të gjithë ata që kanë mundësi të luajë në këtë fushë dhe besoj fuqishëm që më së miri këtë e vlerësojnë futbollistët. Uroj që në këtë fushë Kombëtarja jonë ta nisë mbarë edicionin e ri të Ligës së Kombeve kundër Rumanisë. Po ashtu, ftoj të gjithë që të jenë në përkrahje të Kombëtares, sidomos Dardanët që të jenë në stadium sa më kreativ e në nivel si gjithmonë.