Oda e Hotelerisë dhe Turizimit në takimin e mbajtur sot me disa pronarë të sallave të dasmave nga të gjitha komunat, lidhur me masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, ka kërkuar nga Qeveria përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, që të hapet edhe ky sektor.
Mesazhi i tyre ishte: “Ose të hapen të gjithë nga dita e hënë, ose të mbyllen të gjithë”.
Kryetari i kësaj Ode, Hysen Sogojeva theksoi se pas kësaj mbyllje që është kundërshtuar vazhdimisht, tash tha se po këmbëngulin për hapje.
“Kemi qenë dhe jemi në diskutim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të hartuar një udhëzues për veprimtarinë e sallave në këtë kohë. Ajo që futet në manual edhe duhet të respektohet nga pronarët e sallave. Ende nuk është kryer procesi i hapjes së sallave. Nëse është e lejuar në 10 metra katror katër klientë për gastronomët, pse mos të lejohet që edhe për sallat, që i bie rreth 170 më së shumti 200 veta për dasmorë. Megjithëse ende nuk ka vendim zyrtar as për gastronom as për salla të dasmave”, tha ai.
Sogojeva theksoi se sot janë takuar edhe me grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, të cilët sipas tij kanë qenë pro hapjes së sallave, por gjithnjë duke i respektuar masat.
Afrim Muqiqi këngëtar tha se nga dita e hënë kur pritet të hapet gastronomia, duhet të lejohet edhe puna e sallave të dasmave.
“Jemi të gjithë për hapje duke i respektuar masat nga shteti. Nuk do të lejojmë që të lejohen të tjerët, e ne të mbyllemi. Po hyjmë në ditën e 500 dhe sallat janë të mbyllura, pra ose kanë me punuar të gjithë, ose as gastronomët. Megjithatë ne do të ruajmë edhe shëndetin e të gjithëve”, theksoi ai.
Edhe Shkelzen Jetishi, pronar i një salle në Gjakovë, tha se nuk duhet të vendosen standarde të dyfishta nga Qeveria.
“Me mbylljen e gastronomisë dhe sallave është dashur të mbyllen edhe kufijtë shtetërorë, pasi mund të kemi rreth katër mijë të infektuar vetëm nga vikendi i kaluar në Shqipëri, nga frekuentimi që është bëtë nga qytetarët kosovarë atje”, tha Jetishi.
Në këtë takim me numër të madh të pranishëm, u panë edhe shumë pronarë të sallave të dasmave të cilët sot nuk respektuan masat antiCOVID, dhe që nuk i kishin vendosur maskat.