UBT News

Reagojnë “Dardanët”: Suksese pasardhësit, falënderime trajnerit Challandes

Sot, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar që trajneri Bernard Challandes nuk do të jetë më trajneri i Kombëtares së Kosovës.

Pas 40 ndeshjeve si trajner i ekipit A të Kosovës, Challandes ka regjistruar 17 fitore, tetë barazime dhe 16 humbje.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe tifo-grupi kosovar “Dardanët”, të cilët e falënderuan Challandes për kontributin e dhënë drejt Kosovës, dhe i uruan suksese pasardhësit të tij në kombëtare.

“Lamtumirat nuk janë asnjëherë momente të gëzueshme, sa janë çast i mirë për reflektim. Ne, tifozët e Kosovës, Bernard Challandes’in dëshirojmë ta falënderojmë për kontributin që dha te Kosova, me aq sa mundi të na ndihmojë. Çdo cikël e ka fundin e tij. I Challandes preku fundin, mirëpo ne do ta respektojmë për momentet e delirit që përjetuam nën drejtimin e tij në disa faza të caktuara”, shkruante në postimin e “Dardanëve” në “Facebook”.

“Nga trajneri i ri dhe zyrtarët që do të punojnë me të, presim rezultate konform pritshmërive objektive, qasje serioze dhe profesionale, si dhe zell të punës. Suksese pasardhësit, ndërsa trajnerit Challandes – faleminderit dhe shëndet”, shkruante më tej në postimin e “Dardanëve”.

Nën drejtimin e Challandes, në tre ndeshjet e fundit që Kosova i zhvilloi, regjistroi humbje kundër Kombëtares së Spanjës, Suedisë dhe asaj të Gjeorgjisë.

Exit mobile version