UBT News

Reagimi i Kurtit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së: Padrejtësi e papranueshme, do të vazhdojmë mbrojtjen në Apel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si një “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të dëmshëm” vendimin e Dhomave të Specializuara për shpalljen fajtorë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një adresim për qytetarët, kreu i qeverisë theksoi se ky aktgjykimi nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe shprehu besimin se ai do të korrigjohet në shkallën e apelit.

“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, deklaroi Kurti.

Pavarësisht dënimit, Kurti vuri në dukje se procesi gjyqësor rrëzoi pretendimin më të rëndë që rëndonte mbi UÇK-në, duke vërtetuar se nuk ka pasur një sulm të gjerë apo sistematik ndaj popullsisë civile.

Ai po ashtu ngriti shqetësime për njëanshmëri etnike në procesin gjyqësor, duke kritiukuar faktin se aparati shtetëror serb që kreu krimet mbeti i pagjykuar:

“Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike”.

Kryeministri nënvizoi se pastërtia e luftës çlirimtare mbetet e paprekur dhe se gjykimi i veprimeve individuale nuk e zbeh kauzën historike të Kosovës.

“Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë”, u shpreh ai.

Kreu i ekzekutivit rikonfirmoi se shteti i Kosovës do të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje të plotë e institucionale katër ish-drejtuesve gjatë procedurave vijuese ligjore në shkallën e apelit.

 

Exit mobile version