UBT News

Reagimet e yjeve pas vdekjes së legjendës Diego Maradona

Ylli i futbollit, Diego Maradona, ka vdekur të mërkurën, në moshën 60-vjeçare, pas një sulmi në zemër. I gjithë komuniteti i futbollit është në zi pas ndarjes nga jeta të superyllit.

Kapiteni i Argjentinës dhe Barcelonës, Lionel Messi

“Një ditë e trishtë për argjentinasit dhe futbollin në përgjithësi. Ai na la, por s’do të shkojë askund, sepse Diego është i përjetshëm. Do t’i kujtojë momentet e veçanta që i kalova me të dhe i shprehu ngushëllime familjes dhe shokëve të tij. Prehu në paqe”, shkroi ai në Instagram.

Klubi italian, Napoli, ku Maradona luajti nga viti 1984-1991

“Të gjithë po presin nga ne të flasim, por çfarë fjalish mund t’i përdorim për ta shprehur një dhimbje kaq të madhe që po e përjetojmë? Tani është momenti për lotë. E më vonë do të jetë momenti për fjalë. Jemi në zi. Ndihem si një boksier që është nokautuar. Jemi të shokuar. Goditje si për qytetin ashtu edhe për klubin. Gjithmonë në zemrat tona, Diego”, thuhet në reagimin e klubit.

Futbollisti i Brazilit, Pele

“Lajm i hidhur humbja e shokut tonë. Zoti i dhashtë forcë familjes së tij”, deklaroi ai mes tjerash për Reuters.

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane

“Është një humbje e madhe për botën në përgjithësi, por mbi të gjitha për futbollin. Ajo që ai bëri në Kupën e Botës në vitin 1986 është gdhendur në mendjen time. Ndihemi keq për atë që ndodhi sot, ne jemi shumë të trishtuar”, deklaroi ai.

Futbollisti i Portugalisë dhe Juventusit, Cristiano Ronaldo

“Sot unë i thashë lamtumirë një shoku, e bota një gjenie të përjetshëm. Një nga më të mirët e të gjitha kohërave. Një magjistar i pashembullt. La një boshllëk që s’do të plotësohet kurrë. Prehu në paqe. Nuk do të të harrojmë kurrë”, tha ai./UBTNews

Exit mobile version