Transferimi i mundshëm i Mirlind Dakut te Spartaku i Moskës vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Rusi, edhe pse marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar.
Një pjesë e tifozëve të Spartakut, grupi “Crazy North”, janë shprehur kundër afrimit të sulmuesit shqiptar nga Rubin Kazani, duke publikuar më herët një deklaratë me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.
Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar ish-futbollisti i Spartakut, Andrei Tikhonov, i cili ka kërkuar që sporti të ndahet nga çështjet politike dhe se vendimet e klubit duhet të bazohen në aspektin sportiv.
Sipas Tikhonov, Spartaku ka nevojë për një sulmues dhe afrimi i Dakut do të ishte një përforcim i rëndësishëm për skuadrën.
“Për momentin, Spartaku ka nevojë për një sulmues. Do t’i japin një pagë. Për të është një bekim që i bashkohet Spartakut, një ekip që luan mirë. Është futboll, vëlla”, ka deklaruar Tikhonov në kanalin e tij në YouTube.
Daku është shumë pranë kalimit te një prej klubeve më të mëdha ruse. Sipas raportimeve të mediave atje, Spartaku i Moskës ka arritur marrëveshje me sulmuesin për kushtet personale dhe zyrtarizimi i transferimit pritet në ditët e ardhshme.
Sulmuesi 28-vjeçar pritet të largohet nga Rubin Kazani pas një periudhe shumë të suksesshme. Në 93 paraqitje me këtë klub, Daku ka realizuar 38 gola, duke u shndërruar në një prej sulmuesve më efikasë të kampionatit rus.
Pavarësisht reagimeve negative nga një pjesë e tifozëve, Mirlind Daku mbetet objektiv konkret i Spartakut, ndërsa klubi pritet të marrë vendimin përfundimtar për realizimin e transferimit.
D.L
