Gjykimi ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës për vrasjen e Liridona Ademajt po i afrohet fundit.
Sot, duke filluar nga ora 9:30, palët pritet të japin fjalët e tyre përfundimtare para trupit gjykues. Sipas aktakuzës, vrasja dyshohet se u planifikua nga bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, i cili si pasojë e raporteve të acaruara martesore, dyshohet se organizoi krimin si hakmarrje.
Plani i detajuar në aktakuzë tregon se Murseli fillimisht kontaktoi Kushtrim Kokallën, i cili më pas mundësoi lidhjen me Granit Plavën. Ky i fundit, sipas marrëveshjes, do të paguhej 30 mijë euro për kryerjen e vrasjes. Arma e krimit u sigurua nga Tom Dodaj, i cili pas pranimit të fajësisë, u dënua me tre vite burgim nga Gjykata e Apelit.
Edhe pse Murseli u deklarua i pafajshëm në seancën fillestare të vitit 2025, prokuroria pretendon se ai është truri i gjithë këtij organizimi tragjik.
Pas fjalëve të sotme përfundimtare, gjykata do të mbetet të shpallë verdiktin për tre të akuzuarit kryesorë në një nga rastet që ka tronditur më së shumti opinionin publik.
