Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, pritet të intervistojë sot pesë dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Sipas agjendës, mbledhja e Komisionit nis në orën 08:30, ndërsa intervistimi i dëshmitarëve pritet të fillojë nga ora 09:30. Përveç kryetarit Muhaxheri, para anëtarëve të Komisionit do të dëshmojnë edhe katër zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë: drejtuesja Shpresa Lukaj, udhëheqësi Durim Kelmendi, menaxherja e rastit Toska Gega dhe zyrtari Shpat Morina.
Ky komision hetimor kryesohet nga Burim Ramadani (AAK) dhe ka zëvendëskryesues Adnan Rrustemin (LVV). Pjesë e përbërjes janë deputetët Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani nga LVV-ja; Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani nga PDK-ja; Doarsa Kica-Xhelili nga LDK-ja; si dhe Jovana Radosavljeviq dhe Emilija Rexhepi nga radhët e komuniteteve.
Këto intervistime vijnë tre ditë pasi Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare njoftoi se një inspektim i jashtëzakonshëm në QPS-në e Pejës ka konstatuar shkelje të shumta në trajtimin e rastit të së ndjerës Arlinda Zekaj. Raporti i inspektimit evidentoi mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në detyrë, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale.
Si pasojë e këtyre gjetjeve, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit (T. G.) dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale (D. K.), si dhe rritjen urgjente të kapaciteteve të stafit profesional në këtë qendër. /E.A/
