Situatë e qetë pandemike në Kosovë; kritikohet procesi i vaksinimit.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë thanë se situata me pandeminë e koronavirusit në Kosovë është e qetë dhe se numri i rasteve të reja me sëmundjen që e shkakton ai, COVID-19, gjatë dy javëve të fundit, ka shënuar rënie.
Krahasuar me muajin mars, kur regjistroheshin mesatarisht mbi 800 raste në ditë, të martën janë regjistruar 49 raste me COVID-19.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, tha se kjo situatë e qetë u mundëson autoriteteve shëndetësore të riorganizojnë situatën, në rast të rritjes së numrit në të ardhmen.
“Në nivel vendi kemi 426 pacientë të hospitalizuar, prej tyre 179 janë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkaq, të tjerët në spitalet e përgjithshme. Nga këta të hospitalizuar, 320 janë me oksigjeno-terapi të vazhdueshme. Ndërkohë, 36 pacientë janë në gjendje të rëndë, duke u trajtuar në repartet e kujdesit intensiv”, tha Krasniqi, pas një takimi që pati me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.
Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollqaku, tha se situata epidemiologjike është inkurajuese, pasi që edhe numri i të hospitalizuarve dhe i rasteve me COVID-19 është përgjysmuar.
“Ky është treguesi më i mirë që situata epidemiologjike është e mirë. Por, ne nuk do të ndalemi me masat parandaluese. Qytetarët duhet t’i respektojnë masat, krahas vaksinimit që do të ndodhë, derisa të arrihet synimi i vaksinimit të popullatës”, tha Kollqaku.
Sipas planit shtetëror të imunizimit, deri në fund të vitit, Qeveria e Kosovës planifikon që të vaksinojë deri në 70 për qind të popullatës.
Kritikohet vaksinimi
Bekim Haxhiu, anëtar në Komisionin për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se situata është e rëndë në aspektin e vaksinave.
Kosova, shtoi ai, është i vetmi vend në Evropë që nuk ka kontratë për furnizim me vaksina dhe se çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga Bashkimi Evropian, ose nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Brengosëse është se ritmi i vaksinimit është i ngadalshëm. Me këtë ritëm na duhen 10.5 vjet që të përfundohet vaksinimi i popullatës”, tha Haxhiu.
Në Kosovë, deri më datën 11 maj, në nivel vendi janë vaksinuar 29 mijë persona, tha të martën koordinatori për vaksinim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi.
Në këtë numër përfshihen punonjësit shëndetësorë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.
Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Këtë javë dhe javën e kaluar, Kosova ka pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.
BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ato do të shpërndahen gradualisht.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të hënën se më 12 maj do të pranojë edhe 38,400 vaksina të tjera përmes programit Covax.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur të martën në 106,538, i viktimave në 2,213 dhe i të shëruarve në 98,223.
Raste aktive aktualisht janë 6,102.