Thirrjet me përmbajtje raciste në stadiumet e Maqedonisë së Veriut vijojnë të jenë një problem i përsëritur në futbollin vendor. Rasti më i fundit është shënuar mbrëmjen e djeshme në Kavadar, gjatë ndeshjes mes Pelisterit dhe Shkupit, ku nga tribuna u dëgjuan brohoritje fyese ndaj shqiptarëve.
Incidenti vjen vetëm një muaj pas një ngjarjeje të ngjashme në Kumanovë, duke treguar se urrejtja etnike vazhdon të shfaqet hapur në ambientet sportive. Një nga thirrjet e përsëritura në këto raste ka qenë “le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket”.
Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka reaguar përmes një komunikate, ku njofton se pas raportit të delegatit të ndeshjes, KF Pelister është dërguar në Komisionin Disiplinor.
“Pas raportit të delegatit të ndeshjes KF Pelisteri – KF Shkupi, Komisioni për ndeshjet e FFM-së e ka dërguar KF Pelister në Komisionin Disiplinor për procedurë të mëtejshme. Raporti ka të bëjë me brohoritje fyese nga disa tifozë në ndeshjen Pelisteri – Shkupi, të luajtur në kuadër të raundit të 3-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagim.