Ylli i Manchester United Marcus Rashford ka insistuar që ish-trajneri Ole Gunnar Solskjaer meriton respekt maksimal, pavarësisht shkarkimit të tij nga “Old Trafford”.
United e largoi Solskjaer nga detyra e trajnerit pas humbjes në javën e kaluar me rezultat 4:1 kundër Watford në Premier Ligën angleze, ku kjo ishte humbja e pestë në shtatë ndeshjet e fundit në ligë, përcjell KosovaPress.
Po ashtu, gjatë kohës së tij te “Djajtë e Kuq”, Solskjaer ka dështuar që t’i sjellë trofe klubit, duke arritur në vetëm një finale, në të cilën pësoi humbje sezonin e kaluar nga Villarreali në Ligën e Evropës.
Pas shkarkimit të tij, ylli anglez Marcus Rashford ka thënë që Solskjaer meriton respekt maksimal, pasi që skuadra e Manchester United është gjithmonë në zemrën e trajnerit norvegjez.
“Ole ka Manchester United në zemër, askush nuk mund ta thotë të kundërtën. Për mua, respekti që ai meriton është gjigand, jo vetëm nga ne, por po ashtu nga tifozët. Ndjehem sikur tifozët në raste e fajësojnë trajnerin. Trajneri nuk mund të luajë për ne, ai mund të na mësojë në mënyrën më të mirë që mundet”, tha Rashford.
“Detyra jonë është t’i përcjellim instruksionet, të bëjmë atë që dimë dhe të mundohemi të fitojmë ndeshje. Kjo gjë nuk ndodhi në ndeshjen e fundit, por nuk është e drejtë për ta fajësuar trajnerin. Respekti është një gjë e madhe, dhe Ole nuk do ta humb kurrë respektin tim”, shtoi ylli anglez.
Gjatë aventurës me Solskjaer në këtë sezon, pas 12 ndeshjeve të zhvilluara, Manchester United zë vendin e tetë në tabelë me vetëm 17 pikë, 12 sosh larg liderit të tabelës dhe kundërshtarit në këtë vikend Chelseat.