Marcus Rashford ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të Serie A, përfshirë Juventusin, Napolin dhe Milanin, pas një periudhe të turbullt te Manchester United. Me trajnerin Ruben Amorim që nuk e ka përfshirë Rashford-in në planet e tij, duke e lënë jashtë katër ndeshjeve radhazi, situata e sulmuesit anglez ka shkaktuar spekulime të mëdha rreth një mundësie largimi nga “Djajtë e Kuq”.
Milani është destinacioni më i mundshëm për Rashford-in, për shkak të nevojës së trajnerit Conceição për një sulmues të ri dhe përforcime në krahë, për të zëvendësuar rezervat që kanë pasur performanca të pasigurt. Në sezonin e tij më të mirë (2022-23), Rashford shënoi 30 gola në të gjitha kompeticionet, duke e bërë atë një opsion tërheqës për çdo klub.
Megjithatë, një marrëveshje mes klubeve mund të jetë e komplikuar për shkak të pagës së lartë të Rashford-it, 10 milionë euro neto në sezon. Megjithatë, Manchester United mund të mbulojë një pjesë të pagës gjatë periudhës së huazimit, dhe kjo mund të ndihmojë Milanin të realizojë marrëveshjen. Një tjetër faktor që mund të ndikojë është ish-shoku i tij i skuadrës, Zlatan Ibrahimovic, i cili ka luajtur me Rashford te Manchester United dhe mund ta bindë atë të transferohet në Milano.
Kjo mund të jetë një mundësi e madhe për Milanin, që është i zhgënjyer nga sezoni i dobët në Serie A dhe kërkon të forcojë sulmin e tij./UBTNews/