Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka paraqitur sot raportin zyrtar mbi vrasjen e Arlinda Zekajt, duke adresohet drejtpërdrejt përgjegjësinë te një sërë institucionesh të drejtësisë e sigurisë, ndërsa ka deklaruar se ekzekutivi nuk mban asnjë përgjegjësi lidhur me rastin. Gërvalla bëri të ditur se raporti është vetëm pjesërisht i plotë, me arsyetimin se nuk kanë marrë përgjigje nga të gjitha institucionet kompetente.
Pavarësisht shkeljeve të evidentuara, ministrja theksoi se dikasteri që ajo drejton nuk ka kompetenca ligjore për të ndërhyrë apo hetuar punën e gjykatave, prokurorive apo policisë, për shkak të parimit të ndarjes së pushteteve. Ajo shtoi se pret që komisioni hetimor i Kuvendit të ndihmojë në zbardhjen e plotë të mosveprimeve institucionale.
Gërvalla bëri me dije se institucionet kishin marrë paralajmërime të përsëritura për rrezikun që i kanosej viktimës, duke filluar nga 10 korriku kur ajo raportoi dhunën fizike e psikike, e deri te kërkesat e saj të njëpasnjëshme për urdhërmbrojtje urgjente. Sipas saj, nga dokumentacioni i shqyrtuar krijohet bindja se vrasja me shumë gjasë mund të parandalohej, ndërsa ngriti pyetje edhe për ndikime të mundshme nga “qarqe politike e kriminale” në vonesat dhe neglizhencën e treguar, ani pse pranoi se raporti nuk përmban prova direkte për këtë të fundit.
E pyetur për mundësinë e dorëheqjes, Gërvalla refuzoi një hap të tillë në këtë moment, duke deklaruar se tani është koha për të identifikuar e adresuar përgjegjësitë, dhe se dorëheqja e saj nuk do të ndihmonte në këtë proces
Gjetjet e raportit sipas institucioneve:
- Gjykata Themelore në Pejë: Raporti konstaton vonesa tej afateve ligjore në trajtimin e kërkesës për urdhërmbrojtje, e cila mori mbi një muaj kohë për t’u nxjerrë. Viktima i kishte shkruar dy herë kryetarit të gjykatës duke paralajmëruar rrezikun për jetën, por përgjigja konstatoi se gjyqtari kishte vepruar brenda afateve. Po ashtu, vendimet për kthimin e saj në shtëpi dhe zbatimi i urdhrit mbrojtës nuk u jetësuan.
- Prokuroria Themelore: Ishin të informuar vazhdimisht për kërcënimet. Raporti veçon se më 23 tetor kryeprokurorja Lumturije Vuqetaj u njoftua me shkrim për kërcënimin e drejtpërdrejtë me vrasje nga Albert Sylaj, por prokurorja përgjegjëse refuzoi të hapte rast për kanosje. Dy ditë më vonë ndodhi vrasja. Aktualisht, dy prokuroret e përfshira janë suspenduar.
- Qendra për Punë Sociale (QPS): Nuk e konsideroi detyrim krijimin e kushteve për kthimin e viktimës në shtëpi, nuk dorëzoi raportin në kohë dhe mungoi në seancën gjyqësore të 5 tetorit. Vlerësimi psikologjik po ashtu përmbante të dhëna që kundërshtonin pretendimet se fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën.
- Komuna: Nga pushteti lokal është pranuar vetëm një përgjigje prej shtatë rreshtash, pa asnjë informacion për masa konkrete apo plane për ditët në vijim.
