UBT News

Raporti i Policisë: Detajet e reja për të shtënat me armë në Podujevë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja përmes raportit 24-orësh lidhur me incidentin me armë zjarri që ndodhi mesditën e së enjtes në Podujevë, ku pas një përleshjeje mbetën të plagosur katër persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40 dhe është cilësuar zyrtarisht nga autoritetet si “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Në këtë incident kanë mbetur të plagosur tre nga personat e përfshirë në konflikt, të cilët po trajtohen si të dyshuar, si dhe një kalimtar i rastit i cili u gjend aty pranë, ku që të gjithë kanë pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor. Pas ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të rendit, në vendin e ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja.

Me vendim të prokurorit të rastit, njësitë policore kanë kryer bastisje edhe në pronat e të dyshuarve.

Gjatë këtyre kontrolleve, policia arriti të gjejë dhe të sekuestrojë edhe dy armë të shkurtra me 82 fishekë, një armë gjuetie me 49 fishekë, si dhe katër karikatorë që mbanin në total 85 fishekë të tjerë.

Ky rast tashmë po i nënshtrohet procedurave të mëtejme hetimore në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me organet e drejtësisë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes. /E.A/

Exit mobile version