Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në tri raste të ndara të dhunës në familje, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e disa personave në Podujevë dhe Rahovec.
Në Podujevë janë raportuar dy raste. Në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm, dy vëllezër janë arrestuar pasi janë përleshur fizikisht pas një mosmarrëveshjeje.
Të dy kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, njëri është dërguar në mbajtje dhe tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
Po në këtë qytet, rreth orës 10:30, një person është arrestuar pasi ka dëbuar bashkëshorten nga shtëpia. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, një incident më i rëndë ka ndodhur në Rahovec pak para mesnatës.
Një person, nën ndikimin e alkoolit, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, duke u shkaktuar lëndime trupore. Viktimat kanë pranuar ndihmë mjekësorë në QKMF-në e Rahovecit, ndërsa i dyshuari, me urdhër të prokurorit, është dërguar në qendrën e mbajtjes.
