UBT News

Raphinha shkruan historinë në LaLiga, barazon rekordin e Messit

Raphinha po përjeton një fillim spektakolar të sezonit 2026/27 në LaLiga, duke hyrë në histori si vetëm lojtari i dytë në shekullin XXI që arrin të shënojë gjashtë gola në katër ndeshjet e para të kampionatit.

Sulmuesi brazilian i Barcelonës e kompletoi këtë statistikë në fitoren bindëse 5-0 ndaj Valencias, të dielën, duke shënuar edhe një tjetër gol pas dy dopietave ndaj Elches dhe Rayo Vallecanos, si dhe golit kundër Athletic Bilbaos.

Para Raphinhas, këtë arritje e kishte regjistruar vetëm një futbollist: Lionel Messi.

Legjenda argjentinase e Barcelonës e kishte bërë këtë në dy sezone radhazi, duke shënuar nga gjashtë gola në katër javët e para të LaLiga-s në sezonet 2012/13 dhe 2013/14.

Tashmë, Raphinha i është bashkuar Messit në këtë listë ekskluzive, pasi ka gjetur rrugën e rrjetës në secilën prej katër paraqitjeve të tij në kampionat.

Raphinha kryeson garën për Pichichi

Me gjashtë gola, braziliani aktualisht kryeson listën e golashënuesve të LaLiga-s.

Pas tij renditet Sergio Camello i Rayo Vallecanos me pesë gola, ndërsa në garën e hershme për trofeun Pichichi është edhe ylli i Real Madridit, Kylian Mbappé.

Megjithatë, ajo që e bën edhe më mbresëlënës startin e Raphinhas është fakti se këto shifra po i regjistron në një pozicion të ri në fushë, pasi këtë sezon po aktivizohet si sulmues qendror, ndryshe nga vitet e kaluara kur luante kryesisht në krah.

D.L

Exit mobile version