UBT News

Ramosaj: “Kelkos Energy” nuk e ka respektuar kontratën

Zotimet që i kishte dhënë Kompania “Kelkos Energy” sa i përket ndërtimit dhe shfrytëzimit të hidrocentralit karshi komunës së Deçanit, nuk i ka respektuar.

Këto komente i ka bërë kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj gjatë raportimit në komisionin hetimor për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve.

Ramosaj ka thënë se zotimet që janë dhënë në kontratë nuk janë plotësuar nga “Kelkos Energy”.

“Ky projekt është iniciuar me një kërkesë në vitin 2012, ku ai ka marrë pëlqimin dhe ndërkohë komuna e Deçanit ka qenë inkompetente sa i përket ndërtimit të hidrocentralit, raporti i ndërtuar mes neve nuk është mirëbesim. “Jam i bindur që nuk janë respektuar normat e ndërtimit dhe të shfrytëzimit. Shtatë kritere nuk janë plotësuar dhe do të duhej të bëhej ndërtimi i liqenit akumulues. Ne kemi dhënë një pëlqim për studim të fizibilitetit, përgjatë punimeve unë besoj së janë humbur më shumë se dy burime”, deklaroi ai.

Tutje ai ka thënë se nuk është i sigurt se a është shitur zhavorr nga kompania në atë zonë.

“Për lejen ndërtimore thash që nuk jem i sigurt, për marrëveshjen formale komuna i ka pasur, i ka edhe komisioni sepse nuk kemi pasur arsye me i fsheh. Nuk jam i sigurt që ka shitur zhavorr”, deklaroi ai më tej.

Ai ka folur edhe për rrugën nacionale Deçan-Plavë, ku ka thënë se përçarjet i ka hasur gjatë ndërtimit të asaj rruge, si dhe nuk ka pasur një raport mirëbesimi të kompanisë ndaj komunës.

“Ballafaqimin si kryetar i komunës e kam hasur përgjatë ndërtimit të rrugës, ku kemi pasur një raport jo të mirëbesimit që është dashur ta ketë kompania me komunën, edhe pse unë kam kërkuar që kjo rrugë të ndërtohet”, shtoi ai më tej.

Kryesuesja e komisionit, Eliza Hoxha ka pyetur se si ka filluar procesi i marrëveshjes ndërmjet komunës së Deçanit dhe kompanisë “Kelkos Energy”.

Deputeti i VV-së, Artan Abrashi është shprehur se deklaratat e kryetarit Ramosaj janë shumë domethënëse për punën e komisionit.

“Ju thoni që nuk ka ekzistuar një marrëveshje ndërmjet kompanisë dhe komunës së Deçanit. Deklarata e kryetarit është domethënëse në punën e komisionit, dhe nuk tha se nuk është respektuar një marrëveshje ndërmjet kompanisë dhe komunës”, deklaroi ai.

Edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxheri ka kërkuar ta di se a ka shitur kompania “Kelkos Energy” zhavorr në atë zonë.

Exit mobile version