UBT News

Ramon Vega shpall kandidaturën për president të FIFA-s, synon ta sfidojë Infantinon

Ish-mbrojtësi i Tottenhamit dhe ish-përfaqësuesi i Zvicrës, Ramon Vega, ka konfirmuar zyrtarisht synimin për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, duke u bërë kandidati i parë që ka deklaruar publikisht ambicien për ta sfiduar presidentin aktual, Gianni Infantino.

Vega, 55-vjeçar, ka zhvilluar një karrierë të gjatë si futbollist, gjatë së cilës ka veshur fanellat e Cagliarit, Tottenhamit, Celticut dhe Watfordit, ndërsa ka luajtur edhe për Përfaqësuesen e Zvicrës.

Zgjedhjet presidenciale të FIFA-s pritet të mbahen në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa Vega synon të sjellë reforma në qeverisjen e futbollit botëror dhe të rikthejë besimin në institucionin më të lartë të futbollit.

“Qëllimi im është i qartë: t’i shërbej futbollit dhe njerëzve që i japin jetë kësaj loje”, deklaroi Vega.

“Jam këtu për ta ribashkuar familjen globale të futbollit, për të ofruar reforma të vërteta dhe të qëndrueshme, për ta modernizuar FIFA-n për shekullin XXI, për të rikthyer stabilitetin dhe besueshmërinë, si dhe për të rindërtuar besimin që i nevojitet urgjentisht futbollit tonë”, shtoi ai.

Kandidatura e Vegës vjen në një periudhë kur Infantino po përballet me kundërshtime të reja. Muajin e kaluar, Shoqata Zvicerane e Futbollit tërhoqi mbështetjen për një mandat tjetër të tij, ndërsa më herët të njëjtën gjë e kishin bërë edhe federatat e Anglisë, Uellsit, Francës, Serbisë dhe disa vendeve të tjera evropiane.

Ndërkohë, UEFA ka paralajmëruar se do të paraqesë një kandidat rival përpara përfundimit të afatit në nëntor.

Vega kishte shqyrtuar mundësinë për të kandiduar edhe në zgjedhjet e viteve 2015, 2019 dhe 2022, por këtë herë është i pari që e ka bërë publikisht të ditur synimin për të garuar kundër Infantinos.

“Futbolli nuk u përket presidentëve, konfederatave apo administratorëve. Futbolli është më i madh se çdo pozitë, individ apo institucion”, tha Vega.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si është qeverisur FIFA në vitet e fundit.

“Udhëheqja aktuale e ka demoralizuar lojën. Qeverisja e dobët ka dëmtuar besueshmërinë e FIFA-s dhe ka gërryer besimin në të gjithë familjen globale të futbollit. Ne duhet ta ndalim këtë konflikt që të përshkallëzohet”, përfundoi ai.

Vega e fitoi Kupën e Ligës me Tottenhamin në vitin 1999, ndërsa më pas, me Celticun, kompletoi tripletën vendase në sezonin 2000/01.

Tani, 55-vjeçari synon të kalojë nga fusha e futbollit në një prej posteve më të rëndësishme të sportit botëror.

D.L

Exit mobile version