Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.
Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.
Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.
Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.
Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/
